v
Published On: Tue, Jul 17th, 2012

Stresi: Tymos çdo ditë hashash, nuk kam frikë nga policia

Emri i tij është një ndër më të përfolurit në faqet rozë gjatë fundjavës… Arkimed Lushaj, ose siç e njohim ndryshe Stresi, shpeshherë i cilësuar si ‘djali problematik i skenës’, me histori sherresh e policësh, do të vijë sot në një rrëfim jashtë kornizave për suplementin “Summer Pages”. Nuk i është dashur të ‘vuajë’ shumë në fakt për të na i dhënë këto përgjigje, sepse edhe vetë ai nuk i pëlqen rregullat strikte… Do të jetojë i lirë dhe kaq. Për të liria është gjithçka. Ama veç saj, kërkon edhe disa aksesorë të tjerë, të cilët mund t’ia bëjnë jetën më të bukur, siç janë paratë për shembull. E kush nuk i do ato në fakt?! Veçse Stresi në ndryshim nga ne, i ka disa plane konkrete. Prindërit i kanë premtuar që do t’i blejnë një “Lamborgini” me vlerë gjysmë milioni euro, ndërsa ai do t’i dhurojë vetes një gojë floriri. Po, po, është tamam kështu. Ndërsa bisedonim paraprakisht, Stresi na tregoi se do t’i veshë me flori të bardhë të gjithë dhëmbët, një ‘investim’ që kap shifrën e 17 mijë eurove. Pas tyre ka plane të tjera; në të ardhmen ndoshta mund të hapë një klub striptizmi, sepse siç thotë ai shqiptarët vdesin për to. Megjithatë për këtë të fundit, ka kohë boll. Siç ka kohë për martesën. Aktualisht është 26 vjeç dhe ‘martesën’ e mendon pas të paktën shtatë vitesh. Nuk është dakord me të si nocion, s’e pëlqen dasmën dhe ceremonitë e mëdha. “Më mirë bashkëjetesë e pastaj një fëmijë”, thotë rebeli i skenës ndërsa e pyesim për familjen. Gjatë intervistës me ne, Stresi ka rrëfyer edhe për femrat, marrëdhënien e shumëpërfolur me Enxhin, të cilës i ka bërë ‘block’ në çdo aspekt, vetëm në zemër jo… Besojeni ose jo, Stresi na i ka treguar të gjitha, që nga hashashi që tymos përditë, e deri tek armët për të cilat u akuzua…Muzikën për të cilën po punon fort dhe gjithçka tjetër lidhur me jetën e tij. Çdo përgjigje që do të pasojë, është 100% made by Stresi, ndaj ju ftojmë ta lexoni.
Kur kontaktuam na tregove që sot do xhirosh një videoklip. Bëhet fjalë për një këngë të re?
Po, është një këngë e re që do bëhet hit. “Lambo” flet për mënyrën se si shihen gjërat nga xhami i një “Lamborgini”, se si duken njerëzit kur i sheh nga një makinë që kushton gjysmë milioni euro. Është një këngë e Flori Mumajesit dhe e stafit të “Threedots” ndërsa videoklipi do realizohet nga “Provideo” dhe do të dalë në treg këtë muaj. Xhirimet do të bëhen në vende të ndryshme të Tiranës. Kjo këngë do të jetë superhit, jo vetëm se është bërë nga profesionistë, por sepse që kur ishte demo dhe e dëgjuam në studio na ngjiti menjëherë.
Ti e ke një “Lamborgini”?
Do e kem së shpejti.
Ëndërron ta kesh prandaj i ke kushtuar këngë?
Po. Kush nuk do të donte të kishte një makinë të tillë.
Kush do të ta blejë?
(qesh) Sigurisht që prindërit.
Pse vetë, me lekët e tua nuk e blen dot?
Jo nuk e blej dot. Po më mirë kështu, të përfitoj pak. Më mirë qyl (qesh). Seriozisht tani, edhe sikur të dua 400 ose 500 mijë euro nuk bëhen kollaj.
Po pse nuk provon të gjesh një të dashur që ka “Lamborgini”?
Nuk më pëlqen! Nuk mund të rri me një femër për lek. Më pëlqen që unë ta mbaj femrën.
Për momentin po mban ndonjë femër?
Jo, jam vetëm. Jam beqar fare.
Po pse?
Më mirë kështu. Tani femra që kalojmë ditët dhe netët ka, nuk është se s’ka, por pa krijuar lidhje. Me këto lidhje serioze etj, s’kam punë. Jam shkëputur nga gjithçka.
Po lidhje serioze ke pasur ama?
Kam pasur lidhje që kanë zgjatur e kam kaluar mirë, po jo serioze. Se këtu në Shqipëri po zgjati një lidhje e quajnë seriozisht. Për mendimin tim me një femër mund të rrish edhe pesë vjet se ndihesh mirë me të…
Cila ka qenë lidhja më e gjatë që ke pasur?
Ajo që ka zgjatur një vit e gjysmë, gati dy vjet. Kaq ka qenë lidhja më e gjatë e jetës sime.
E ke fjalën për historinë me Enxhin, apo jo?
Po për këtë lidhje e kam fjalën, por përderisa ka përfunduar do ishte mirë që të mos flisnim për këtë, për respekt ndaj Enxhit.
Gjatë kohës që vazhdonit të lidhur, mendove në ndonjë moment të bësh një hap më të madh? Të fejoheshe, apo të martoheshe me të?
Nuk e kam menduar sepse nuk e kam qejf martesën.
Nuk do martohesh asnjëherë?
Mund të bashkëjetoj me një femër, të kem dhe fëmijë, por jo të bëj nga këto ceremonitë, apo dasëm. Nuk më pëlqen.
Po sikur femra që do kesh në krah të të kërkojë dasëm, si do e bësh?
(qesh) Duhet se s’bën domethënë…Nuk i preferoj dasmat, por nëse do jetë momenti që unë do ta kem vendosur definitivisht të krijoj familje me të, nuk do ia prish qejfin (qesh).
Më përpara do blesh një “Lamborgini” apo do martohesh?
Unë do zgjidhja “Lamborginin” (qesh)! Pastaj prisni pak se është herët për ta menduar. Jam 26 vjeç, jam i vogël (qesh). Do rri siç jam edhe të paktën shtatë vite të tjera.
Mos ndoshta ngaqë nuk pranove të bëje dasëm, u ndave nga Enxhi? Apo do bashkoheni prapë?
Unë jam ndarë përfundimisht, por jetës nuk i dihet. Mund edhe të ndodhë që të bashkohemi prapë…Normalisht që dy vjet nuk janë pak. Por ne kemi dy muaj që nuk kemi asnjë lloj kontakti. Nuk kemi folur fare.
Të ka marrë malli?
Në fillim, ditët e para është normale që ta kem menduar, por unë nuk jam nga ata meshkuj që e jap veten. Po këtu flas vetëm për ditët e para, sepse tani janë ftohur shumë gjëra. I bërë ‘block’, në telefon, në “Facebook”…
Po në zemër i ke bërë ‘block’?
Në zemër akoma nuk i kemi bërë “block” njëri-tjetrit.
Nga e di që akoma nuk të ka bërë ‘block’ ajo?
Ku në zemër?! Sepse shoh statuset e saj (qesh). Kam adresa fallso që e kontrolloj, se jam edhe ‘super hacker’.
Si mendon se do shkojë kjo puna juaj?
Le të shkojë si të jetë e shkruar. Unë për vete nuk e bëj hapin e parë. E kam vendosur!
Po sikur ta hedhë ajo hapin? Ti je gati?
Nëse ajo më kërkon, normalisht do ulemi e do e bisedojmë. Po tani që kanë kaluar dy muaj edhe gjërat kanë ndryshuar. Pastaj unë nuk jam mësuar me këto lloj marrëdhëniesh që krijohen këtu në Shqipëri, sepse më shumë kam jetuar jashtë dhe atje funksionon ndryshe.
Ishte xheloze Enxhi? Të kërkonte llogari?
Asnjëherë nuk më ka kërkuar llogari. Unë e vlerësoj shumë Enxhin. Është femër e rrallë.
Jo më kot i bëre gjithë atë dedikim… Sepse kënga “Lamtumirë ishte për të, apo jo?
Ajo këngë është për mamin tim, sepse ajo është femra e jetës sime (qesh). Bëj shaka! Kënga për Enxhin është bërë, por që para dy vitesh.
Pushimet ku dhe me kë do i kalosh?
Do shkoj në Tailandë me një grup çunash, dhjetë ditë për qejf. Kam parë ca video nga ai vend dhe më pëlqen shumë.
Po ndonjë shoqe nuk do merrni me vete?
Jo, do shkojmë vetëm çuna. Se pastaj atje do s’do bëhesh çift përnatë (qesh).
Kemi parë në “Facebook” disa foto të tuat me armë. Nuk ke frikë se mund të të arrestojnë për armëmbajtje pa leje?
Ato foto janë bërë në një zonë kur praktikohet sporti i qitjes. Nuk janë armë të vërteta. Po deshën le të vijnë e të verifikojnë. Unë jam djalë i pastër dhe i pafajshëm (qesh).
Po në “Facebook” kemi parë edhe disa video ku bëje xhiro mbi një makinë të hapur nëpër Tiranë dhe pije shumë cigare…
Nuk ishte cigare, ishte marijuanë.
Nuk ke frikë se mund të të arrestojnë që e thua dhe e pi hapur?
Për një cigare, asnjëherë në botë. Nëse vijnë më kontrollojnë do më gjejnë një dozë që lejohet në bazë të ligjit, 0.6 gram lejohet ta mbash me vete për përdorim personal. Se çfarë bëj unë pastaj kur ata nuk më shohin është punë për mua (qesh).
Sa cigare hashash pi në ditë?
Maksimumi një në ditë. E kam ulur dozën.
Pse më parë sa pije?
Rreth dhjetë cigare. Kurse tani mund të pi rreth dy të tilla nëpër koncerte, para se të dal në skenë. Unë këndoj shumë ‘live’ dhe të jesh esëll rri si trung. Ndërsa kur e pi atë je më i qeshur, vjen në humor, fillon flirton me vajzat që janë në publik (qesh).
Çfarë kanë dashur prindërit e tu që ti të bëheshe kur të rriteshe? Çfarë të thoshin kur ishe i vogël?
Më kanë thënë gjithmonë që të ndjek shkollën. Prindërit e mi janë shumë liberalë, pastaj unë duke qenë fëmija më i vogël, më kanë përkëdhelur shumë. Jam djali i pleqërisë dhe mund të bëj çfarë kam qejf (qesh).
Çfarë të pëlqen tjetër të bësh, përveç repit?
Dua të kem shumë lek, të hap një biznes timin, dhe të jetoj. Kaq (qesh).
Çfarë biznesi do të të pëlqente të bëje?
Kam shumë qejf të hap një klub striptizmi, po akoma nuk po merrem seriozisht me këtë.
Pse kjo zgjedhje? Te pëlqen striptizmi?
Jo se më pëlqen mua, po shqiptarët janë të etur për striptizëm. Madje të jetë kazino e madhe dhe të ketë striptiz. Po kjo normalisht kërkon një buxhet shumë të madh. Kur të më blejnë “Lamborginin”, do e shes dhe do hap klubin me striptiz (qesh). Bëj shaka! Të shohim se si do të më ecë jeta.
Vazhdon ta kesh inat Noizin?
Për mua është benefit që grupi i tyre merret me mua. Ata vërtetë më shajnë e flasin keq për mua, po ama nuk munden ta kalojnë ditën pa e përmend emrin tim. Megjithatë mosmarrëveshjet janë ulur, po unë përjetë do jem kundër grupit të tyre. Jo se do jem kundër e do bëj luftë, sepse s’kam punë fare me ta. Unë do përpiqem që gjithmonë të bëj muzikë më të mirë e më të fortë dhe jam realisht duke e bërë.

Komento

You must be Logged in to post comment.





[Close]