Reali “gjunjëzon” Barcelonën (VIDEO)

Real Madridi thyen tabunë e El Clasico duke mposhtur Barcelonën me rezultat 1-2, edhe atë si mysafir i saj.
Me këtë fitore, Reali i Madridit është shumë pranë titullit kampion, duke shpresuar t’i japë fund dominimit disavjeçar të Pep Guardiolës.
Me një Messi në hije dhe mesfushën e thyer në disa pjesë, Barcelona lejoi Realin e Madridit të tregonte muskujt në me një fitore 2-1 të kërkuar më shumë nga kryeqytetasit. Në minutën e 17 të takimit, gjermani Khedira përfitoi nga një rrëmujë në zonën e vendasve, duke e çuar topin në rrjetë.
Pjesa e parë nuk dhuroi asgjë tjetër më shumë se rasti i pastër i Xavit, i cili “qethi” shtyllën e djathtë të Casillas, duke treguar se kjo ishte një mbremje “jo” për blaugranat.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm më të lartë dhe në minutën e 70, Sanchez konkretizoi një aksion të gjatë të Barcelonës duke kthyer “hijet” e së shkuarës te mbretërorët, por alarmi për skuadrën e Mourinhos zgjati vetëm 3 minuta sepse i përhershmi Ronaldo finalizoi një aksion model të nisur nga Ozil, duke i dhënë fitoren jo vetëm skuadrës së tij por edhe egos personale sepse Lionel Messi u eklipsua gjatë 90 minutave.
Me këtë fitore, Reali i Madridit shkon 88 pikë, 7 më shumë se Barcelona kur duhen edhe 4 javë kampionat. Në ndeshjet e tjera të ditës, Mallorca mundi 1-0 Zaragozzan, Sporting Gijon kaloi 2-1 Rayo Vallecanon.









