Policia e liroi që ta përgjonte, si u fut në kurth vrasësi i gruas

Njollat e gjakut të mbetura në kapelën që mbante në kokë për të mos lënë mbrapa prova fajësie “tradhtuan” Aldo Hoxhën dhe e ‘kyçën’ në qeli si të dyshuarin kryesor për vrasjen e Fatbardha Tafës dhe plagosjen e motrës së saj, Lumturi Gjana, në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.
20-vjeçari, një kontingjent mjaft problematik për policinë kryeqytetase, duket se ka “ngecur” përballë provave të forta që kanë në duar hetuesit, për ta implikuar në ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së 7 gushtit, kur teksa tentoi të grabiste një varëse floriri, la të vrarë me thikë 38-vjeçaren Tafa dhe plagosi motrën e saj. Aldo Hoxha, ishte ndër personat e parë të shoqëruar në qelitë e paraburgimit, si i dyshuar, për shkak se kishte precedentë të mëparshëm penalë. Madje në dhjetor të 2011-ës, ishte dënuar për një ngjarje të ndodhur po në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.
Burime nga policia thanë se gjatë kontrollit në shtëpinë e Hoxhës është gjetur një kapuç, që ka rezultuar të kishte njolla gjaku. Pasi është mbajtur për 48 orë në qelitë e paraburgimit, mëngjesin e së shtunës, Hoxha është lënë i lirë për të shkuar në shtëpi, pasi policia ende nuk e kishte shtënë në dorë aktin e ekspertimit të Laboratorit Kriminalistik, që po ekzaminonte gjurmët e gjakut të gjetura në kapelë. Gjatë periudhës që ka qenë i lirë, ai është mbajtur nën survejim nga agjentët të cilët kanë mundur të vërtetojnë nga bisedat e tij, autorësinë e krimit. Por, kur ekspertët konfirmuan faktin se njollat e gjakut në kapelën e Hoxhës përputheshin me gjakun e viktimës Fatbardha Tafa, shpejtuan për t’i vënë prangat.









