v
Published On: Wed, Dec 28th, 2011

Dënohen 7 hajdutët, mashtronin me kompjuterë

 

Tiranë, grupi vodhi paratë e biletave me mashtrim kompjuterik.

TIRANE – Gjykata e kryeqytetit deklaroi fajtorë shtatë persona të përfshirë në një skemë mashtrimi kompjuterik në lidhje me blerjen e biletave të udhëtimit ajror përmes kartave bankare të klonuara. Biletat e udhëtimit ishin prerë gjatë vitit 2010 nëpërmjet sistemit “online” me karta të klonuara qytetarësh amerikanë. Për blerjet, klientëve në Shqipëri u merrej pagesa në para të thata në dorë, “cash”, por në një çmim më të lirë. Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë nga gjyqtari Sokol Tona, i pandehuri Zenel Buchala u dënua në mungesë me 6 vjet burg e 3.6 milionë lekë gjobë për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”. Pesë të pandehur të tjerë të kësaj dosjeje, ish-punonjës agjencish udhëtimi, Arjan Troka, Etleva Minxhozi, Elisabeta Bengasi, Flora Nikaj dhe Erjon Jaupllari, u dënuan me nga 3 vjet e 4 muaj burg dhe me nga 400 mijë lekë gjobë. Për këta të pestë gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg. Ata do të jenë të lirë dhe për një periudhë trevjeçare do të mbajnë kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës. Për të pandehurin Ken Koromani, gjykata vendosi dënimin e tij me 8 muaj burg, pasi e deklaroi fajtor vetëm për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Sipas prokurorisë, dëmi ekonomik i shkaktuar një prej kompanive ajrore nga kjo skemë mashtrimi ishte 112 mijë euro. Të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan në tetor të vitit 2010 nga operacioni “Concord”. Hetimet ndaj të pandehurve nisën pas një kallëzimi të një kompanie ajrore, bileta të së cilës për shtetas shqiptarë ishin blerë “online” me karta krediti në pronësi të shtetasve të huaj. Në arsyetimin e vendimit të saj gjykata pohonte se rolin kryesor dhe organizator në skemën e mashtrimit e kishte shtetasi kosovar Zenel Buchala. “Nga bisedat e transkriptuara, përsa i përket prerjes së biletave me karta krediti të klonuara, ky shtetas ka dërguar të dhënat e shtetasve në numra telefoni të huaj. Më pas nga këta numra telefoni janë kthyer përsëri të dhënat e shtetasve së bashku me kodet e biletave dhe oraret e udhëtimit me agjenci të ndryshme si ‘B…’, ‘O…’, ‘T… A…’ etj. Të gjitha të dhënat e marra, ky i pandehur i ka transmetuar nëpërmjet mesazheve telefonike tek të pandehurit e tjerë që administrojnë agjencitë e udhëtimit ‘K… Travel’, ‘E… Travel’, ‘V… Travel’,  ‘A… C…’”, thuhej në vendim. Po në vendim thuhej se “nga shkëmbimet e mesazheve (SMS) në telefonat celularë për prenotime biletash udhëtimi për shtetas të ndryshëm, ka rezultuar se shtetasit që kanë udhëtuar i kanë prerë biletat në agjencitë e udhëtimit të përmendura më lart”. Pas verifikimeve të prokurorisë gjatë hetimit kishte rezultuar se duke krahasuar të dhënat e marra nga biletat e udhëtimit të prera me kartat bankare të përdorura, rezultonte se të gjitha të dhënat e paraqitura në biletat e udhëtimit nuk përputhen me të dhënat e marra nga verifikimi i të dhënave të çdo karte.

PËRGJIMET
Në vendimin e gjykatës zbardheshin edhe një sërë bisedash apo mesazhesh telefonike të përgjuara nga prokuroria, një prej të cilave publikohet në vijim. Më 17 mars 2010, një bisedë mes të pandehurit Zenel Buchala dhe një shtetasi të quajtur Endru.
Endru: E kur të pyeta atëherë më the që ta, kur hamë bukë do bësh dhe thërrime. E mban mend?
Zenel: E mbaj mend.
Endru: Në rastin e parë, sa për qind janë këto thërrime se po vazhdojmë, po vazhdojmë, mos janë 100 për qind thërrime… bahet thërrime 10 për qind, 20 për qind, në fakt ashtu menoj, po deri tashti ka shku 50 për qind e po vazhdojmë.
Zenel: Qysh 50%, se s’të kuptoj?
Endru: Janë ba për shembull hyrje 80 mijë… deri tashti janë ba ankesa për 40 mijë, si i thojnë 60%.
Zenel: Janë ba ankesa.
Endru: Edhe më rëndojnë mu këto, kupton? Duhet me pas kujdes me këto…
Zenel: Para se me fillu… kam me ta kallëzu programin…. do fillojmë tamam ta kallëzoj….
Endru: Mas dy muajsh më vijnë mu dhe m’i kërkojnë mu pagesat… ato të parët që na e mbyllën muhabetin në dhjetor po vazhdojnë, edhe vazhdojnë ankesat çdo javë, çdo ditë vazhdojnë të vijnë faturat me minus, minus, minus dhe s’duhet të jetë kështu herën e dytë.

DENIMET
Zenel Buchala 6 vjet burg dhe 3.7 lekë gjobë
Arjan Troka 3 vjet e 4 muaj burg, 400 000 lekë gjobë
(pezullohet burgimi, 3 vjet liri me kusht)
Etleva Minxhozi 3 vjet e 4 muaj burg dhe 400 000 lekë gjobë
(pezullohet burgimi, 3 vjet liri me kusht)
Elisabeta Bengasi    3 vjet e 4 muaj burg dhe 400 000 lekë gjobë
(pezullohet burgimi, 3 vjet liri me kusht)
Flora Nikaj 3 vjet e 4 muaj burg dhe 400 000 lekë gjobë
(pezullohet burgimi, 3 vjet liri me kusht)
Erjon Jaupllari 3 vjet e 4 muaj burg dhe 400 000 lekë gjobë
(pezullohet burgimi, 3 vjet liri me kusht)
Ken Kormani 8 muaj burg

Burimi: Panorama

Komento

You must be Logged in to post comment.





[Close Ad]