v
Published On: Wed, Sep 5th, 2012

Babai i Nazimes: Vajzës i putha dorën në burg, m’i tregoi të gjitha


Babai i Nazime Vishës, 18- vjeçares që ekzekutoi Fiqiri Muçën, të cilin e akuzonte për përdhunim dhe abuzime seksual për katër vite me radhë, tregon në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24 gjithcka di nga kjo histori e mbushur me mister.

Ai deklaron se sëfundmi e ka takuar Nazimen në burg, ndërsa shton se vetëm tani vajza i ka treguar për abuzimet e Fiqiriut. Beqir Visha thotë se i ka puthur dorën së bijës në burg, duke e falënderuar për atë që ka bërë.

“Kam folur dje me vajzën në burg, më tha që nuk kisha rrugëdalje..ajo më tregoi gjithcka që ai i kishte bërë…Ai ka shkuar atë natë që ta merrte me detyrim, i ka bërë edhe telefonata. Ai do ketë qënë i lidhur me shoferin e Dibrës që ta conte gocën me detyrim në Maqedoni a në Kosovë, pasi kështu i kishte thënë që do ta conte tek një i afërm i tij. Gocës ia bëftë zoti hallall, i lumtë dora, i putha dorën Nazimes në burg për atë që bëri…Ta ketë hallall bukën që i kam dhënë në 8 vjet”, deklaroi Beqiri.

Duke treguar më tej se çfarë dinte nga kjo histori ai këmbëngul se në shtëpi me Nazimen, ditën e krimit nuk ka qënë askush tjetër përvecse prindërve të tij.
“Ajo ishte vetëm, nuk ka pasur shoqërues…Në shtëpi me vajzën ishte vetëm baba dhe nëna ime, asnjë pjestar tjetër”, shton ai.

Beqiri ka thënë më tej se nuk i ka asnjë borxh familjes Muca, pasi sic tha ai, vajza ka bërë vetëgjyqësi.
“Unë nuk kam asgjë cfarë t’i shpjegoj familjes Muca. Armën e ka gjetur Nazimja kur ishte me dele…nuk e ka mbajtur në shtëpi, më duket se e mbante tek shkallët e shtëpisë, i ka ardhur dhe asaj në majë të hundës dhe e ka vrarë”, tha ndër të tjera.

Pas rrëmbimit që Fiqiriu i bëri vajzës në muajin maj, sic pretendon familja Visha por edhe vetë Nazimja, Beqiri sqaron se ajo ndryshoi shumë.
“Goca trembej natën, cohej nga gjumi dhe trembej, sa t’i afroheshe nuk fliste, ne kishim frikë se mos pinte helm”.

“Nuk kisha kuptuar asgjë nga ajo që bënte Fiqiriu, ishte i pakomunikueshëm. Ai punonte me mua por kur merrte lekë, sa t’i harxhonte nuk dukej në punë”, rrëfen ai.

Gjatë këtij emisioni, Beqiri ka kërkuar pafajësi për të bijën. “Unë dua që vajzën ta lirojnë”, tha ai.

Pengu i vetëm i Beqirit është vajza tjetër e tij, Lutfia, e cila është e martuar me vëllanë e Fiqiri Mucës, Sipas tij, ajo është ndaluar të komunikojë me familjen që ditën e 13 gushtit kur u mor vesh se e motra i vrau kunatin. Beqiri lëshon këtë apel për familjen Muca: “I bëj thirrje t’i japin gocës telefonin sepse e kanë izoluar”.

Të kontaktuar nga emisioni me “Zemër të hapur”, familjarët e Fiqiri Muçës kanë refuzuar të përballen me babain e Nazimes, Beqir Visha dhe të japin versionin e tyre për ngjarjen.

Fiqiri Muça u qëllua për vdekje mbrëmjen e 13 gushtit 2012 në Krrabë të Tiranës, para shtëpisë së xhaxhait të Nazime Vishës, e cila mori përsipër autorësinë e krimit. E reja deklaroi se e qëlloi për vdekje kunatin e motrës, pasi e kishte përdhunuar dhe abuzuar seksualisht, madje atë natë kishte shkuar ta merrte me qëllimin për ta trafikuar. (BALKANWEB)

Komento

You must be Logged in to post comment.





[Close]